Avokat që punon në zyrë me statujën e drejtësisë përpara dhe titullin 'Dëmi kontraktor vs Dëmi jashtëkontraktor' – imazh që ilustron dallimin mes dy llojeve të dëmit në fushën ligjore.

Dëmi kontraktor dhe dëmi jashtëkontraktor: Cili është dallimi?

Në jetën e përditshme, shpesh ndodhin situata kur një individ apo subjekt pëson dëm nga veprimet ose mosveprimet e një pale tjetër. Nga pikëpamja juridike, këto dëme ndahen në dy kategori kryesore: dëmi kontraktor dhe jashtë-kontraktor. Të kuptuarit e dallimeve mes dëmit kontraktor dhe jashtëkontraktor është thelbësor. Kjo ndihmon për të kuptuar si trajtohen juridikisht rastet e ndryshme të dëmtimeve. Gjithashtu, ndihmon për të ditur si mund të kërkohet kompensim i drejtë në përputhje me ligjin.

Çfarë është dëmi kontraktor?

Dëmi kontraktor ndodh kur njëra palë në një kontratë nuk i përmbush detyrimet që ka marrë përsipër. Kontrata është një marrëveshje mes dy ose më shumë palëve. Ajo përcakton në mënyrë të qartë detyrimet, përgjegjësitë dhe përfitimet e secilës palë. Kur njëra palë shkel këtë marrëveshje dhe nuk vepron sipas asaj që është rënë dakord, mund të shkaktojë dëm te pala tjetër. Në këtë rast kemi të bëjmë me dëm kontraktor.

Ky lloj dëmi zakonisht lidhet me humbje financiare, por mund të përfshijë edhe dëme të tjera si: vonesa në dorëzim, mungesë cilësie apo shkelje të kushteve të kontratës. Në rastet e tilla, kontrata vetë shërben si baza ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe për përcaktimin e dëmshpërblimit.

Për shembull, nëse një kompani ndërtimi vonon përfundimin e punimeve dhe kjo sjell humbje për porositësin, kemi të bëjmë me dëm kontraktor. Rasti do të gjykohet mbi bazën e asaj që është parashikuar në kontratë.

Çfarë është dëmi jashtëkontraktor?

Në ndryshim nga rasti i mësipërm, dëmi jashtëkontraktor ndodh kur një person dëmtohet nga veprimet ose mosveprimet e dikujt tjetër. Kjo ndodh kur mes palëve nuk ekziston asnjë marrëveshje paraprake. Dëmi është rezultat i një sjelljeje të paligjshme ose të pakujdesshme, që shkakton pasoja negative për dikë tjetër. Këto pasoja mund të prekin shëndetin, pronën, pasurinë apo moralin e të dëmtuarit.

Dëmi jashtëkontraktor mund të shkaktohet nga aksidente, dëmtim prone, shpifje, dhunë apo veprime të padrejta. Në mungesë të një kontrate, baza për dëmshpërblim është ligji, jo një marrëveshje paraprake. Ajo mbështetet te ligji civil dhe vendimet e gjykatës.

Shembull i dëmit jashtëkontraktor është kur një kalimtar goditet nga një automjet në vijat e bardha. Edhe pse nuk ka marrëveshje mes palëve, drejtuesi i mjetit përgjigjet sipas ligjit civil, për dëm pasuror dhe/ose jopasuror.

Dallimet thelbësore

Dallimi kryesor mes dëmit kontraktor dhe jashtëkontraktor qëndron në “formatin e marrëdhënies mes palëve”. Në rastin e dëmit kontraktor, ekziston një kontratë që parashikon se si duhet të veprohet në rast shkeljesh, ndërsa te dëmi jashtëkontraktor, nuk ka asnjë marrëveshje, por ka përgjegjësi ligjore për dëmin e shkaktuar.

Gjithashtu, në dëmin kontraktor, zgjidhja e konfliktit zakonisht bazohet në pikat e parashikuara në kontratë, ndërsa në dëmin jashtëkontraktor vendimi për dëmshpërblim i takon gjykatës, e cila e analizon çështjen sipas ligjeve të vendit.

Si zgjidhen këto raste?

Në të dyja rastet, është e këshillueshme që palët të përpiqen të arrijnë një zgjidhje miqësore, përmes negociatave ose ndërmjetësimit. Kjo është shpesh rruga më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme. Megjithatë, në rast se nuk arrihet marrëveshje, rruga ligjore përmes ngritjes së padisë në gjykatë mbetet alternativa kryesore për të kërkuar dëmshpërblimin e merituar.

Përfundim

Dëmi kontraktor dhe dëmi jashtë kontraktor janë dy koncepte juridike që duhet të kuptohen qartë nga kushdo që përballet me një situatë ligjore konfliktuale. Nëse ekziston një kontratë, është e qartë se përgjegjësitë dhe zgjidhjet do të bazohen mbi të. Në mungesë të një kontrate, çdo veprim i paligjshëm që sjell dëm mund të çojë në një çështje jashtë-kontraktore, e cila zgjidhet përmes gjykatës.

Në të dy rastet, këshillimi me një jurist ndihmon në mbrojtjen e të drejtave dhe marrjen e kompensimit të duhur. Na kontaktoni për të marrë informacionin e duhur për rastin tuaj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *